SHPËRNDAJE

Presidenti Hashim Thaçi si dhe homologu i tij Aleksandar Vucic, do të takohen sot në Bruksel në një tryezë të organizuar nga zyrtarja e lartë e BE’së, Federica Mogherini.

Siç bëjnë të ditur burime nga diplomacia kosovare për Gazetën Metro, janë dy arsye që i kanë mbledhur dy presidentët në Bruksel.

Arsyeja e parë e takimit është BE’ja dhe Mogherini po dëshirojnë që të nxjerret një agjendë dhe dinamikë kohore e negociatave Kosovë-Serbi.

Arsyeja e dytë këtij takimit, ka të bëjë me përcaktimin e dialogut nga çështjet teknike, që ishte nisur në fillim, në fokusim për nxjerrjen e një marrëveshjeje finale mes dy vendeve.

Deri tani asnjeri nga presidentët nuk kanë folur për agjendën zyrtare, mirëpo nga diplomacia bëhet e ditur se do të ketë takime të ndara si dhe takimi i përbashkët.

Mësohet se presidenti Thaçi do të takohet në orën 18:00 me Federica Mogherinin, ndërkohë që nga ora 20:00 do të mbahet takimi i përbashkët Thaçi-Vucic-Mogherini.

Sidoqoftë, takimi në Bruksel po mbahet vetëm tri ditë para takimit të rëndësishëm në Paris, ku me ftesë të presidentit francez, Emanuel Macron, do të jenë edhe presidenti Trump, Putin, kancelarja gjermane Angela Merkel, si dhe presidentët Thaçi e Vucic.