SHPËRNDAJE

Vendimi i Qeverisë së Kosovës në vitin 2017 për rritjen e pagave të zyrtarëve të saj, përfshirë edhe të vetë kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili pagën e tij e rriti qind për qind, ka bërë që në vend të mos mungojnë protestat dhe grevat e sindikatave në sektorin publik.

Edhe viti 2019 në Kosovë nisi me një sërë grevash që po mbahen dhe të tjera të cilat janë paralajmëruar të ndodhin ditëve në vijim.

Grevat aktuale janë duke u mbajtur nga punëtorët shëndetësor, minatorët e Trepçës, ndërkaq pezullimin e punës e kanë paralajmëruar edhe mësimdhënësit.

Disa nga kërkesat kryesore të punëtorëve kosovarë janë ndryshimi dhe miratimi i Projektligjit për Pagat, ku përfshihet edhe rritja e pagave si dhe kushtet më të mira për punë.

Këto zhvillime sipas sociologëve mund të paraqesin rrezik për krizë sociale, ndërsa i kanë vlerësuar si të arsyeshme kërkesat e punëtorëve, për shkak të standardit të jetesës.

Gjendje më alarmante si pasojë e grevës së fundi është krijuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, respektivisht në Kolegjiumin e Klinikës së Kirurgjisë ku mantelbardhët po vijojnë pezullimin e punës.

Klinika e Kirurgjisë, ka hyrë në javën e tretë të grevës dhe si rrjedhojë janë duke u anuluar rreth 200 operacione në ditë nga sa ka qenë mesatarja e operacioneve të kryera në këtë klinikë.

Greva në shëndetësi ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë më 26 dhjetor dhe kishte zgjatur 72 orë, për t’u deklaruar më pas e përfunduar, megjithëse e njëjta thirrje nuk po vlen për mjekët kirurgë.

Kolegjiumi i Kirurgëve po kërkon nga Qeveria e Kosovës, që koeficienti i pagës së tyre të rritet nga 5 sa e kanë aktualisht në 10, duke nënkuptuar që të kenë pagesë mujore deri në 4 mijë euro.

Të pakënaqur me pagat janë shprehur edhe minatorët e kombinatit “Trepça”, të cilët kanë hyrë në javën e parë të grevës.

Minatorët po kërkojnë nga qeveria rritje të pagave për 20 për qind, shkarkimin e bordit të këtij kombinati, mos punësimin pa konkurs si dhe kushte më të mira për punë./kallxo/