SHPËRNDAJE

Pesë vajza adoleshente humbën jetën mes flakëve në Poloni ndërsa po vizitonin një park lojërash të qytetit Koszalin për të kremtuar ditëlindjen e njërës prej tyre.

Vajzat, të gjitha të moshës 15 vjeçe, kanë hyrë në një dhomë, e cila mbyllet hermetikisht, e nga ku mund të dalësh duke përdorur disa të dhëna që të jepen rrugës.

Por ambienti që duhet të shërbente për argëtim, u kthye në një kurth vdekjeprurës për vajzat, të cilat nuk arritën të dalin dot prej andej. Edhe një i ri 25 vjeçar ka marrë lëndime të rënda nga ferri i flakëve. Zyrtarët nuk i kanë dhënë ende një shpjegim fatkeqësisë, por po hetojnë për ndonjë problem të instalimeve elektrike, afërsinë e telave me materiale që digjen shpejt si dhe praninë e qirinjve.

“Dhoma e shpëtimit” është një lojë që ka fituar popullaritet të madh në pjesë të ndryshme të botës. Kur ajo u shfaq për herë të parë në Britaninë e Madhe në 2013-ten kishte vetëm 7 dhoma të tilla e sot ka mbi 1000.

Pjesëmarrësit mbyllen brenda dhe duhet të zgjidhin disa gjëegjëza për të dalë jashtë.

Autoritetet besojnë se personi përgjegjës për lojën në rastin e Koszalin, më shumë gjasë nuk ka qenë aty kur ka nisur zjarri./ 21 Media.