SHPËRNDAJE

Etrit Berisha është një nga shumë lojtarët me prejardhje nga Kosova që po bën karrierë në Evropë.

Portieri i kombëtares shqiptare, që aktualisht është pjesë e Atalantas, ka pasur një ngritje të jashtëzakonshme në karrierë, e cila ka filluar në Kosovë.

29 vjeçari, që ka qenë portier i Kosovës para anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, karrierën e ka filluar te skuadra nga Prishtina, 2 Korriku, për t’u transferuar pastaj në Suedi te Kalmar, për të vazhduar në Serie A te Lazios, ndërsa që nga sezoni 2016/2017, është i padiskutueshëm në portën e Atalantës.

Gjithë këtë përvojë të krijuar nëpër Evropë, Berisha synon ta sjellë në Kosovë, për të zbuluar talentë të rinj.

“Me çantën në shpinë dhe duke kërkuar për të zbuluar talente. Shpresoj të kem hapur një shkollë futbolli në Kosovë”, u përgjigj Berisha në një intervistë të dhënë për “Gazetta Dello Sport”, në pyetjen se ku e sheh veten pas dhjetë viteve, përcjell ‘lajmi.net’.

Berisha në këtë intervistë ka folur edhe për situatën e tij të Atalanta, duke u deklaruar i lumtur me paraqitjen, e duke synuar sukseset në të ardhmen.