SHPËRNDAJE

Koha sa vjen e ngushtohet dhe 16 skuadra do të kërkojnë kualifikimin në fazën çerekfinale të Europa Leagues, vetëm 8 prej tyre do e realizojnë këtë objektiv mjaft të rëndësishëm që të dhuron një tjetër motiv për t’i shkuar deri në fund këtij turneu. Sfidat e para të raundit të 1/8-ave janë zhvilluar tashmë dhe gjithçka do të përcaktohet në ndeshjet e kthimit, ku disa ekipe vijnë me një garanci më shumë falë rezultateve të arritura të enjten e kaluar.

Inter, në prag të derbit të Madonninës kundër Milanit, duhet fillimisht të hipotekojë kalimin në çerekfinale. Në Frankfurt gjithçka përfundoi me shifrat e bardha 0-0, ndërsa për sfidën e sotme, zikaltrit kanë jo pak probleme. Lautaro Martinez, që ka marrë rolin e liderit në sulm pas mënjanimit të Icardit, është i pezulluar, ndërsa gjithashtu i skualifikuar është edhe Kwadwo Asamoah. Në këtë mënyrë pritet që Spalletti t’ia besojë sulmin Keita Baldes. Në spondën tjetër ka një mungesë edhe trajneri i gjermanëve Adolf Hutter, pasi Gelson Ferandes është i pezulluar. Pritet një sfidë mjaft delikate në “San Siro”, ku gjithçka mund të vendoset nga një episod.

Një detyrë mjaft të vështirë ka edhe Arsenali. Topçinjtë do të duhet të përmbysin në “Emirates Stadium”, humbjen 3-1 të pësuar në sfidën e parë ndaj Rennes. Greku Papastatopulos është i skualifikuar, ndërsa lajmi i mirë është rikthimi i Lacazette, për të cilin UEFA vendosi t’i shkurtonte kohën e dënimit dhe pikërisht francezi do të udhëheqë sulmin së bashku me Aubameyang, që ende nuk ka gjetur golin e parë në Europa League në fazën me eliminim direkt. Në 13 rastet kur Arsenali ka ardhur me humbje në ndeshjen e parë në këtë kompeticion të UEFA-s, vetëm 3 herë ka arritur ta kthejë në favor duelin.

Një shëtitje në Ukrainë parashikohet për Chelsean transferta në Kiev ndaj Dinamos. Fitorja 3-0 e londinezëve në ndeshjen e vajtjes, e ka thjeshtësuar kalimin e raundit për anglezët e Sarrit. Në të njëjtën situatë është edhe Napoli. Italianët kanë udhëtuar për në Salzburg, pas një triumfi 3-0 në “San Paolo”. Në futboll gjithçka mund të ndodhë, por duket e vështirë që austriakët të përmbysin atë disfatë të pësuar në qytetin e Napolit.

Shumë më shumë dyshime ka dueli mes Krasnodarit dhe Valencias. Spanjollët fituan 2-1 në “Mestalla”, të udhëhequr nga Moreno, megjithatë ai gol i rusëve, i shënuar nga Claesson, i ka mbajtur të gjalla shpresat e skuadrës së Murad Musayev. Dy mungesa për secilin ekip, pasi Krasnodari nuk ka të gatshëm për shkak pezullimi Kabore dhe Martinoviç, ndërsa në krahun tjetër Los Murcielagos janë pa kapitenin Parejo dhe qendërmbrojtësin Roncalglia, të dy të skualifkuar.

Barazimi 2-2 në “Ramon Sanchez Pijuan” ka bërë që Slavia Pragues ta nisë e avantazhuar takimin e kthimit përballë Sevillës. Çekët janë pa Coufal, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve, ndërsa pritet ta nisë nga stoli ish sulmuesi i Skënderbeut, Piter Olaynka, ndërkohë që trajneri i andaluzianëve, Pablo Machin do t’ia besojë fazën ofensive treshes Sarabia, Ben Yedder, EL Hadadi.

Villareali është me një këmbë e gjysmë në çerekfinale, pas triumfit 3-1 në Shën Petërburg ndaj Zenitit. Nëndetësja e verdhë duhet vetëm të administrojë avantazhin e siguruar në “Gazprom Arena”. 2 finale në 6 vitet e fundit, por pa arritur të triumfojë, Benfica kërkon t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni dhe për ta bërë këtë duhet të përmbysë humbje 1-0 në Zagreb ndaj Dinamos. Stadiumi “Da Luz” do të jetë mbështetja më e madhe për portugezët, të cilët kanë 13 takime që nuk dorëzohen në impiantin e tyre. /SS/