SHPËRNDAJE

Qe disa vite kishte qenë duke punuar në një kompani private të veturave në Prishtinë. Së fundmi kishte hapur edhe një kompani të sigurimeve. Por, 28 vjeçari nga fshati Gadime i komunës së Lipjanit, Blerim Shabani, të martën i dha fund jetës. Familja e gjeti atë pa shenja jete mëngjesin e së martës, në dhomën e tij. Ai kishte qenë i martuar. Policia, rastin po e cilëson si vdekje e dyshimtë. Express, ju sjell rrëfimin rreth kësaj ngjarje

Askush nuk po e di arsyen e vdekjes së 28-vjeçarit, Blerim Shabanit, nga fshati Gadime i komunës së Lipjanit. Ai të martën në mëngjes u gjet i vetëvrarë nga ana e familjarëve të tij në dhomën e gjumit.

Gazeta Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Vëllai i të ndjerit ka rrëfyer për Express rreth momentit kur e ka gjetur të vdekur vëllain e tij, Blerimin të martën në mëngjes.

Familja e Blerim Shabanit hap të pamen

Ai ka shpjeguar se të hënën deri vonë kishin qëndruar bashkë me Blerimin tashmë të ndjerë dhe familjarët e tjerë, duke diskutuar tema familjare. Sipas familjarëve, Blerimi, asnjëherë nuk u kishte shprehur atyre ndonjë shqetësim për ndonjë gjë.

“Nuk i dimë arsyet përse ai e ka kryer një akt të tillë. Asnjëherë nuk na ka treguar për ndonjë problem me ndokënd. Nuk ka shprehur ndonjë hall tek ne. Në mëngjes të martën kemi shku me e thirrë në dhomë edhe e kemi gjetur të vdekur. Ne të hënën mbrëma kemi qëndruar bashkë me të deri vonë. Nuk i dimë arsyet përse e ka bërë atë veprim. Jemi të shokuar”, ka deklaruar vëllai i së ndjerit.

Familja shpjegoi se Blerimi për disa vite kishte punuar në një kompani të veturave por që së fundi ai e ka hapur një kompani të sigurimeve.

“Ka punuar në Porche për disa vite. Së fundmi e ka hapur edhe një kompani të sigurimeve në Prishtinë. E ka dashtë shumë sportin ka luajtur futboll”, ka treguar tutje vëllai i së ndjerit.

Mesazhi i gruas së të ndjerit

Blerimi kishte qenë i martuar. Gruaja e së ndjerit, Shukrija, e ka shkruar një mesazh emocionues në rrjetet sociale për bashkëshortin.

“Ndërrove jetë bashkëshorti im, shoku im, me le te vetme ne dhimbje të thellë. Të kam dashur aq shumë, si ikë? Si më le të vetme? O Zot sa e rënd qenka nuk gjej fjalë për dhimbjen Blerim”, ka shkruar bashkëshortja e së ndjerit.

E për rastin, tashmë janë angazhuar edhe nga policia e Kosovës.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, deklaroi të enjten për Express se rasti po cilësohet si vdekje e dyshimtë.

“Me datën 4 dhjetor është hap një rast ‘vdekje e dyshimtë’ në stacionin e Lipjanit. Viktimë në këtë rast është një person i gjinisë mashkullore 27 vjeç. Trupi i pajetë i të cilit me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion në IML”, ka thënë Ahmeti për Express.

Dukuria e vetëvrasjeve po vazhdon në Kosovë. Brenda këtij viti janë me dhjetëra kosovarë që i kanë marrë jetën vetes.

Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, që nga viti 2014 e deri më sot në vend janë kryer me qindra vetëvrasje. Sipas PK’së, në vitin 2014 në vendin tonë janë evidentuar 77 raste të vetëvrasjeve dhe 261 tentim vetëvrasjeje.

Një vit më pas, pra në vitin 2015 ky numër ka qenë më i ulët. Mirëpo, përsëri dukuria e vetëvrasjeve ka qenë e pranishme, dhe në këtë vit në Kosovë janë regjistruar 60 raste të vetëvrasjeve dhe 219 raste janë regjistruar si tentim vetëvrasjeje.

Edhe në vitin 2016, vendi ynë është përballur me vetëvrasje. Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës që i ka siguruar Lajmi.net, në Kosovë janë regjistruar 37 vetëvrasje dhe 229 tentim vetëvrasjeje.

Ndërkohë që nga janari e deri në fund të muajit shtator të këtij viti në vendin tonë janë regjistruar mbi 20 raste të vetëvrasjeve, por disa raste tjera ende janë duke u hetuar si “vdekje të dyshimta”, dhe se pas përfundimit të hetimeve mund të dihet se a kanë qenë vrasje apo vetëvrasje.