SHPËRNDAJE

Shkruan: Marigona Krasniqi

Jam rritur duke u mbështjellë nëpër dimijat e gjyshes e duke qenë i favorizuari i nënës.
Jam rritur duke e marrë edhe hisen e motrave në sofrën e vjetër, hisen e mishit e hisen e ëmbëlsirave.
U rrita duke e parë dryrin e madh e të ndryshkur në dyert e oborrit.
U rrita duke parë armë në brezin e axhallarëve e duke i parë tek bredhnin rrugëve poshtë e përpjetë, si hije e zezë që paralajmëron fortunë.
U rrita me delikatesë nga një nënë e cila çdo natë, në çdo të dytin minut zgjohej për të vështruar frymëmarrjen time.
Thënë të drejtën ,fillova të bezdisem nga kjo gjë.
Akoma më e bezdishme bëhej jeta kur në çdo lojë me shokët apo në çdo zënk me ta, shfaqej dikush i familjes sime.
Se si më përcillnin apo e gjenin vendnodhjen time nuk e di, vetëm di që kjo gjë po më zemëronte çdo ditë e më shumë.
U rrita me fjalët se duhej të isha trim e sy patrembur sepse një ditë do t’a bëja krenarë babain tim, të cilin nuk e kisha takuar dot asnjëherë.
Sa shumë flisnin e diskutonin për këtë krenari, por që unë nuk e nuhasja dot.
A thua vallë nuk synon secili fëmijë të bëhet krenaria e prindit të vet, -mendoja me vete.
Atëherë çka dalloj unë nga ta?!
U rrita duke qenë i kufizuar se çfarë të haja e me kë të luaja. Madje me kishin tërhequr vërejtjen që me të birin e filanit të mos luaja asnjëherë, madje as të ndërroja dy fjalë me të.
Dhe si për inat të tyre unë në mundësinë e parë që më jepej shoqërohesha me atë djalë, e që për çudi kalonim mjaftë mirë, anipse ai ishte më i rritur se unë në moshë por edhe në shtat.
Duke u rritur fillova të shqetësohesha më shumë për këtë dashurinë dhe kujdesin e familjarëve të mi.
Sikur ishte shndërruar në obsesion, në ankth kjo dashuri.
Kurreshtja ime shtohej çdo ditë, e bashkë me të edhe pyetjet e mia.
Por si për inat ato pyetje mbyteshin pa asnjë përgjigje.
“Je i ri bir, mos e lodh kokën kaq herët. Mjafton të kesh besim tek ne. Gjithçka do të shkoj mirë” – më thoshte xhaxhi i vogël, i cili pas çdo bisede me mua përfundonte në lot.
Lotët e tij seç më ngacmonin kurreshtjen akoma më shumë.
Por nuk kaloj shumë kohë dhe unë u pendova që isha bërë aq kurreshtar. Ah, sikur të mos dija gjë.
Do e duroja me mijëra herë atë kujdes të tepruar të familjes sime vetëm të mos e kuptoja gjithë këtë barrë të rëndë që m’u rëndua papritmas mbi supe.
Sikur një pjesë e qiellit u shkëput dhe më ra papritmas mbi kokë.
Pikërisht një ditë para se të merrja rrugën për në universitet, në shtëpinë tonë ishin mbledhur axhallarët, gjyshi dhe dajtë.
Kishin vendosur të më rrëfenin misterin e tyre. Anipse shpesh kishta dëgjuar nga moshatarët e fshatit tek pëshpërisnin, nuk u kisha vënë re.
Por tani u përballa direkt me rrëfimin.
Babi im nuk kishte vdekur në aksident rrugor siç e dija deri në ato momente, por ishte vrarë nga dora kriminale e fqinjit tonë.
Për një moment u mbusha plot urrejtje dhe mllef.
Ama nuk dija për çka apo kë t’a urreja më parë: Babain që ishte ngatërruar me fqinjët, nënën që e kishte fshehur për vite të tëra këtë nga unë apo vrasësin që e kishte privuar nga jeta babin tim.
Të urreja vetën që isha treguar torollak gjatë gjithë kësaj kohe apo të urreja jetën që kisha lindur në një vend të tillë, ku ende zbatohej kanuni dhe ku gjaku duhej patjetër të lahej me gjak.
Axhallarët po provonin të më bindnin se ky gjak nuk do të shkoj “falas” dhe se ata do e merrnin një ditë.
E unë duhej vetëm të tregohesha i kujdesshëm për vete, motrat e për nënën.
Kurse axha i madh dhe gjyshi insistonin që këtë gjak duhej t’a merrja unë, kur të arrija moshën e pjekurisë, në mënyrë që shpirti i babit të prehet i qetë.
Ajo bubullimë ndjenjash që u formua pas këtij kumtimi u kthye në një revoltë timen.
U shfryva tek të gjithë ata duke i mallkuar e duke u zotuar që unë nuk do të bëhesha vrasës për atë dreq kanuni dhe as për të ushqyer atë krenari.
Ndashtë le të më quajnë burrec e pa pikë burrërie. Le të qesh me mua bota e turpi le të më mbulojë. Le të ecë lirshëm vrasësi e le të krekoset sa të dojë ama unë nuk bëhem vrasës.
E kuptuat, – bërtita së fundi unë.
Por pasj kësaj britme erdhi një flakaresh i fortë nga gjyshi, e që bëri që në sytë e mi të dalin shkëndija.
– A këso djali kemi rritur ne?! A për të tillë djalë kemi flijuar një jetë të tërë dhe kemi derdhur djersë të ftohta. A kështu do e turpërosh babain tënd të ndjerë,- vazhdonte të fliste gjyshi, i cili me shumë fanatizëm i ruante traditat e krenarinë.
Dhe po bëhej gati të më godiste akoma, kur në atë mes hyri nëna.
E gjora, kishte një jetë të tërë që jetonte mes dy zjarresh. E në sytë e saj kishte veç mërzi e trishtim.
-Lëre baba të lutem, është akoma i ri dhe nuk di çka flet, – foli ajo me buzën në vaj.
Në ditët në vazhdim unë u interesova shumë për këtë punën e gjakmarrjes dhe si për të keq të gjitha burimet më dërgonin tek një rezultat, unë duhej t’a merrja gjakun e babit tim.
Karshi leximit të librave për gjakmarrjen fillova gjithashtu të ushtroj dhe të forcoj fizikun tim.
Gjithashtu i shpeshtova edhe takimet me njerëzit, e sidomos me të moshuarit.
Dhe nuk e di me apo pa të keq por secili më nxiste në marrjen e atij gjaku. Të gjithë vizitorët e familjes përfundonin duke na thënë se ne jemi një familje e fortë dhe se nuk dorëzohemi lehtë dhe gjithashtu përfundonin duke e sharë komshiun, tashmë armikun tonë.
Nuk e di në e kishin nga injoranca apo kënaqeshin tek shihnin “një film” të tillë ama secili prej tyre më qonte drejt dëshirës për t’a marrë sa më parë hakun e gjakut të babait.
Kështu çdo ditë e më shumë më nxehej gjaku dhe damarët e mi përjetonin një turbulencë.
Një oqean i furishëm nuk po qetësohej dot brenda meje dhe si peshkaqenë të mëdhenjë e të rrezikshëm më sulmonin ëndrrat çdo natë.
Zgjohesha i zhytur në djersë dhe kjo po bëhej e tmerrshme.
Përkundër gjithë këtij presioni nga brenda, me studimet ecja mirë. Ndoshta gjithë atë hipër energji të keqe e zbraza në energji pozitive në mësime.
E në këtë më ndihmoi shumë edhe profesori im i psikologjisë, e që tek më vonë kuptova se ai kishte qenë mik i ngushtë i babait tim.
Përveç ndihmes me literaturë dhe ndihmës morale që më jepte çdo ditë, ai filloj të më ftoj për kafe dhe për vizitë në shtëpinë e tij.
Shpesh në mënyrë të tërthortë me fliste për gjakmarrjen dhe përfundonte duke thënë se është një mbetje e poshtër e kanunit dhe se është shumë e rrezikshme dhe e dëmshme për shoqërinë.
Kështu dita ditës profesori u bë shoku im më i mirë dhe mora guximin t’ia hapja zemrën.
Nuk e kisha parë ndonjëherë një mashkull në gjendje të tillë. U ul në gjunjë para meje, duke qarë me ngashërim dhe duke m’u gjunjëzuar që të mos e bëja një gjë të tillë.
-Babi yt ka qenë miku im më i mirë bir dhe jam i sigurt që ai nuk do e donte një gjë të tillë.
Ai nuk do të dëshironte që biri i tij i vetëm të bëhet vrasës dhe të kalbet në burg vetëm për shkak të një zakoni të tmerrshëm. Ai madje nuk u përfshijë në një situat të tillë, por ra viktimë e konflikteve disa vjeçare mes dy familjeve.
-Kjo nuk është rruga e vetme në të cilën mund t’a dëshmosh burrërinë tënde biri im. Madje burrëria e vërtet qëndron në faljen e gjakut, – përfundoj duke thënë ai.
Koka po më rëndohej çdo ditë e më shumë e mendimet më torturonin.
A thua nuk isha një djalë i mirë për babain?
A thua isha një frikacak që e arsyetoja frikën time?
O Zot, një mori dilemash ziheshin në kokën time e një lëmsh më ishte mbledhur në grykë.
Çfarë të bëja dhe si të i’a dilja në krye kësaj pune.
Lexova se sa shumë e kishte përmendur Zoti durimin në librin e Tij dhe ndonëse zemra më rridhte gjak për babin unë vendosa: Nuk do të bëhesha vrasës dhe nuk do e thelloja akoma më shumë këtë armiqësi mes familjes sime dhe fqinjëve.
Por pas këtij vendimi më prisnin shumë beteja, ajo me nefsin tim, me gjyshin e me axhallarët dhe me fjalët e hallkut që s’kishin mbarim.
Kërkova mbrojtje tek Zoti dhe ndihmën e profesorit tim. I’u luta që të gjente sa më shumë njerëz që mendonin si ai dhe t’i dërgonte tek familja ime sa më shpesh.
Kaloj kohë e gjatë dhe temë kryesore e ditës në familjen tonë ishte kjo: “A t’a dëgjojmë këtë të riun tonë të krisur që dëshiron të fal gjakun e babait e të ulim krenarinë tonë apo të marrim hak”.
Bisedë pas bisede e zënk pas zënke edhe ata mezi u pajtuan. Do i falim gjakun komshiut.
Po, po sado që kjo më tingëllonte si ëndërr, kjo punë po fillonte të bëhej realitet.
Dhe së bashku me profesorin vendosëm që në ditën time të diplomimit të bëhej edhe falja e gjakut. Madje këto ditë kur Kosova do të shënon njëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë. Kjo do të shërbente si shembull tek të tjerët që përveç dijes për shkencën unë kisha mbjellur dhe kultivuar tek vetja edhe një dije dhe pjekuri që rrallë njeri mund t’i ketë.
E gjitha kjo falë profesorit. Vërtet prindi është mësuesi i parë, por mësuesi mund të bëhet prindi i dytë.
Atë ditë unë vesha kostumin tim më të mirë, gjithashtu e përdora edhe kollaren e babit të cilën e ruante nëna në sëndukun e saj.
U parfumosa e u krekosa saqë dukesha shumë i kompletuar, por zemra përbrenda ishte bërë copë e grimë.
A thua do ishte i kënaqur me mua babi apo do më mallkonte,- ishte kjo pyetje që më ngacmonte aq shumë. Saqë për një çast desha të iki e të zhdukem diku.
Por përsëri më vinin në kokë fjalët e urta të profesorit.
Kaloj dhe kjo fazë dhe të gjithë e përjetuam atë ditë faljesh së gjakut. Lotë krenarie e mërzie për babin vinin nga ne, kurse lot pendimi e turpi nga fqinjët tanë.
U përqafuam dhe i zgjatëm dorën njëri-tjetrin tamam si dy vëllëzër shqipëtarë, ashtu siç na ka hije. Kujtimi për babin u bë forca ime e falja e gjakut u shndërrua në krenari.
Unë luftova me vetën, me paragjykimet e rrethit dhe me zakonet e vjetra.
Unë e fala gjakun e babait dhe e shndërrova armiqësinë disa vjeçare në miqësi. Ndërgjegjia ime tani është e qetë. Burrëria ime nuk u cenua. Krenaria veç u shtua.
Të lutem bëje edhe ti.
E di që mundesh..!