SHPËRNDAJE

Juventusi është në rrugë të mirë për ta mbrojtur titullin e Kupës së Italisë, pasi e ka mposhtur 2-0 Bolognën të shtunën në 1/8 e finales së kësaj gare.

Juventusi, që sezonin e kaluar e fitoi Kupën pas një triumfi të lehtë ndaj Milanit, e siguroi një vend në çerekfinale falë fitores së rehatshme ndaj Bolognës në “Renato Dall’Ara”, raporton Gazeta Express.

Synimin për ta mbrojtur titullin, skuadra e Massimiliano Allegrit do ta vazhdojë me fituesin e duelit Atalanta – Cagliari, në fund të këtij muaji.

Allegri vendosi të bëjë ndryshime të mëdha në formacion për këtë ndeshje, duke i lënë në stol yjet si Cristiano Ronaldo, Paulo Dybala dhe Alex Sandro, teksa Mario Mandzukic dhe Joao Cancelo munguan si pasojë e lëndimeve.

Por, kjo s’i la përshtypje Federico Bernardeschit, i cili i kaloi në epërsi bardhezinjtë pas vetëm nëntë minutave lojë. Italiani i falët gabimit trashanik të portierit Da Costa, i cili me një dalje të gabuar ia hapi portën atij për të shënuar me lehtësi për 1-0.

Përkundër dominimit, Juve nuk arriti të shënojë me në pjesën e parë, derisa Bologna nuk pati asnjë goditje në portën e vizitorëve.

Menjëherë në fillim të pjesës së dytë, Juve e dyfishoi epërsinë. Moise Kean realizoi në minutën e 49-të, duke e regjistruar golin e tij të parë në fanellën e kampionit në fuqi.

Kur akrepat shënonin një orë lojë, ai u zëvendësua nga Cristiano Ronaldo.

Allegri i solli edhe Dybalan dhe Sandron në lojë në vazhdim, dhe ia doli ta ruajë rezultatin dhe të kalojë në çerekfinale ndaj një Bologne që nuk e pati asnjë goditje në portën e Szczensy.