SHPËRNDAJE

Të famshmit tanë janë ata që kanë vëmendjen e publikut për çdo gjë që bëjnë.

Viti që e kemi lëmë pas ishte njëri prej viteve ku shumë prej fytyrave publike shqiptare i dhanë fund beqarisë, shkruan lajmi.net.

Dasmat e VIP-ave shqiptarë kanë qenë kryetemë e medieve rozë gjatë 2018-ës, si për organizim, ashtu edhe për dukjen, të ftuarit, e shumë gjëra të tjera.

Lajmi.net sjell listën e VIP-ave shqiptarë që gjatë vitit 2018 i kanë dhënë fund beqarisë.

Elita Rudi dhe Gjiko

Një dasmë që bëri bujë gjatë vitit 2018 ishte edhe ajo e reperit Gjiko me moderatoren Elita Rudi. Çifti kurorëzuan dashurinë e tyre më 21 shtator, duke organizuar dasmë madhështore me të ftuar familjarë, miq e kolegë të tyre. Dasma e Elitës dhe Gjikos u komentua shumë për çdo detaj, kurse çifti menjëherë pas dasmës konfirmuan lajmin se po presin ta marrin epitetin prind për herë të parë. Pa mëdyshje mund të themi se 2018-a do të mbetet në kujtesën e Gjikos dhe Elitës si viti më i lumtur në jetën e tyre.

Enis Bytyqi dhe Rina

Enis Bytyqi është njëri ndër këngëtarët tanë që gjatë vitit 2018 i dha fund beqarisë. Enis Bytyqi dhe Rina organizuan dasmë me shumë të ftuar. Edhe kjo dasmë, ishte shumë e përfolur në shtyp. Para martesës, çifti ishin në lidhje për një kohë të gjatë.

Eliza Dushku dhe Peter Palandija

Edhe aktorja shqiptare me famë botërore, Eliza Dushku gjatë vitit që e lamë pas kurorëzoi dashurinë me martesë. Ajo u martua më 20 gusht me partnerin e saj, Peter Palandija. Për dallim prej VIP-ave të tjerë, ky çift vendosën që dasmën ta kishin më private dhe larg syrit të medieve. Dasma e tyre u mbajt në Boston.

Afërdita Dreshaj dhe Jakub Kindl

Në qershor të vitit 2018 u organizua një tjetër dasmë madhështore, në Miami. Modelja shqiptare Afërdita Dreshaj dhe hokeisti çek, Jakub Kindl, kurorëzuan lidhjen e tyre me martesë. Dasma e çiftit u komentua shumë, ndërsa organizimi i saj ishte menduar deri në detaje.

Rona Nishliu

Një dasmë që befasoi të gjithë gjatë 2018-ës ishte edhe ajo e Rona Nishliut me partnerin e saj. Rona kishte zgjedhur 8 shtatorin si datë për t’u kurorëzuar, kurse vendi ku u mbajt dasma ishte Tirana. Dasma e këtij çifti ishte private ashtu sikurse e aktores Eliza Dushku, por gjithsesi disa imazhe nga dasma qarkulluan në internet, shkruan lajmi.net.

Sara Hoxha dhe Ledion Liço

Një tjetër çift që në vitin 2018 i kanë dhënë fund beqarisë janë edhe Sara Hoxha dhe Ledion Liço. Më 10 gusht, çifti organizuan dasmë buzë liqenit Como të Italisë. Sara dhe Ledioni bënë dasmë madhështore me të ftuar shumë prej personazheve publike.

Jona Spahiu dhe Frenkli Ymeri

Moderatorja Jona Spahiu dhe partneri i saj Frenkli Ymeri organizuan dasmë më 10 qershor të vitit që e kemi lënë pas. Ashtu sikurse e dasma e Ronës, edhe ajo e moderatores u mbajt në Tiranë. Pak muaj pas dasmës, Jona u bë nënë për herë të parë, ajo solli në jetë një djalë që e pagëzuan me emrin Raiden.

Valon Behrami dhe Lara Gut

Futbollisti Valon Behrami më 11 korrik të 2018-ës u martua me sportisten Lara Gut. Ani pse dasma e tyre ishte private, çifti publikuan imazhe të dasmës në rrjete sociale.

Stresi dhe Kejsi

Ndonëse nuk organizuan dasmë, çifti i shumëpërfolur në shoubiz, Stresi dhe Kejsi janë kurorëzuar, por në një të ardhme të afërt Kejsin mund ta shohim edhe në fustan të bardhë. Çifti gjatë muajit shkurt kishin lidhur fejesë.

Nga e gjithë kjo, del që viti 2018 ishte i mbushur përplot me dasma, ku shumë prej të famshmëve tanë i dhanë fund beqarisë. Disa kishin organizuar dasma madhështore, e disa prej tyre kishin vendosur të martohen në ceremoni private. Megjithatë, e rëndësishme ëshë që çiftet e kurorëzuan dashurinë e tyre ashtu siç kanë ëndërruar. /Lajmi.net/