SHPËRNDAJE

Rreth 10 mijë burime flakësh të vogla u ndezën në Kalanë e Londrës për ta shënuar përfundimin e Luftës së Parë Botërore. Ceremonia filloi kur një flakadan u hodh nga kulla në ujin që e rrethon kalanë, me ç’rast lëshoi shumë tym. Përfaqësuesit e Forcave të Armatosura dhe vullnetarët e përdorën flakën për t’i ndezur rreth 10 mijë flakadanë të vegjël të vendosur rreth mureve të kalasë.

Balraj Dhanda nga Forcat Mbretërore ishte në mesin e vullnetarëve. “Mendoj se kjo ceremoni krijon atmosferën e duhur që të gjithë njerëzit t’i krijojnë përshtypjet e veta personale për këtë ngjarje”, tha ai. Shumë spektatorë u tubuan për ta parë spektaklin, i cili u përcoll nga tinguj të veçantë të muzikës korale dhe me sonetet e shkrimtares Mary Borden kushtuar ushtarëve. Përveç kësaj, nga të gjithë të pranishmit u mbajt një minut heshtje.

“Ajo që është e veçantë rreth kësaj ngjarjeje është se kjo ka domethënie të shumëfishtë”, tha Dick Harrold, mbikëqyrës i Kalasë së Londrës. “Mesazhi me zë nuk ka të bëjë shumë me ata që humbën jetën në atë luftë, por më tepër me ata që mbijetuan dhe u prekën nga lufta”, shtoi ai.

Përgatitjet për këtë shënim të përvjetorit filluan që para katër muajsh, me ç’rast dy skulptura që janë me motive nga kjo luftë janë shfaqur nëpër qytete të ndryshme në tërë Britaninë e Madhe. Ceremonia me flakadanë do të përsëritet çdo natë deri më 11 nëntor, kur shënohet “E diela e Përkujtimit”, që paraqet zyrtarisht ditën kur Lufta e Parë Botërore mori fund, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.