SHPËRNDAJE

Artistja Zake Prelvukaj ka thënë se do të vazhdojë të jetë artiste e profesoresh universitare dhe nuk e ka në planë të hyjë në politikë.

“Pas nje shkrimi ne disa media tona e ndjej obligim te ju njoftoj se nuk i takoj asnje subjekti poltik. Une jam vetem artiste dhe pedagoge dhe e tille do te jam edhe tutje.Shpresoj se do te gjej mirëkuptim”, ka shkruar Prelvukaj, në Fb.

Zake Prelvukaj është piktore dhe ligjëruese në lëndët pikturë dhe arte vizuale në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Zake Prelvukaj ka diplomuar për pikturë në vitin 1991 në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës në klasën e prof. Nysret Salihamixhiqit. Në vitin 1993 filloi punën si docente në lëndën pikturë monumentale. Në vitin 1997 magjistroi në lëndën e pikturës, në klasën e prof. Muslim Mulliqit. Në vitin 2000 mori klasën e pikturës, si profesor i asociuar.

Pasi fitoi titullin profesor i rregullt për pikturë Zakja ligjëroi në fakultete dhe institucione të ndryshme të kulturës në vende të ndryshme.

Ajo ligjëroi në Muzeun e Paqës që është muzeu më i madh në Evropë ku pati rastin të ligjëronte para deputetëve dhe senatorëve evropian me temën Politika dhe Arti. Me ndërmarrjen artistike Ballkani i Ri realizoi projekte të shumta brenda dhe jashtë Kosovës, duke përfshirë këtu murale, mozaik, ekspozita, debate etj.

Gjatë karrierës së saj të deritanishme ka ekspozita të shumta personale dhe grupore. Ekspozitat personale në Kosovë i hapi kryesisht në Prishtinë: Future X (2010), Mbroje natyrën në Parkun Gërmia (2004), Sexhibition në Muzeun e Kosovës (2005), 12 hours-shoping centre-performative (2004), Ghetto in Balkan në Hani i Dy Robertëve (2003), X-sat flasin – Arti i rezistencës, Galeria Dodona (1998). Në Pejë ekspozoi në Kafe-Galerinë Evergrin (1994) dhe Galeri Evropa (1996), ndërsa në Gjakovë në New Vision Gallery (2001).

Zakja mori pjesë gati në të gjitha ekspozitat grupore të organizuara në Kosovë, duke tejkaluar si piktore të gjitha barrierat gjinore. Kështu ajo duke promovuar artin kosovarë në botë, mori pjesë në ekspozitat Italjenska Palatset 3K ArtKnow (Suedi, 2009), Balkandemokraci Art Museum në Bergenz (Austri, 2009), Fine Arts University Gallery në Madrid (Spanjë, 2009), Fragile state në Stockport Manchester (Britani e Madhe, 2007), Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë (Shqipëri, 2007), Enerus gallery në Stamboll (Turqi, 2007), Visual Imortaly në Magic Museum në Basel (Zvicër, 2007), Gallery Altitude në Paris (Francë, 2003), Galeri Hibya në Tokio (Japoni, 2003) e shumë të tjera