SHPËRNDAJE

Gjatë ditës së sotme prokurori i shtetit, Fatos Ajvazi i ka kërkuar Gjykatës që ndaj të akuzuarit Hysri Peqani, masa e paraburgimit të zëvendësohet me masën e paraqitjes në Stacion Policor.

Sipas Prokurorisë edhe pse ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, maksimumi i dënimit për veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri është pesë vite dhe për shkak të kalimit të afateve ligjore për vazhdimin e kësaj mase mbi katër muaj – e që ky kalim i afateve nuk i atribuohet zvarritjes së procedurës nga ana e Prokurorisë, prokurori ka konsideruar se në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Me shqiptimin e kësaj mase Burdushit do t`i merret dokumenti i udhëtimit edhe për një muaj, dhe poashtu atij do t`i duhet të paraqitet në Stacion Policor herë pas here, ashtu siç do ta caktoj Gjykata.

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi” është arrestuar në nëntor të vitit të kaluar.

Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim.

Në po të njëjtin muaj, ndaj “Burdushit” u ngrit aktakuzë.

“Burdushi” akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t`i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit.

Në seancën e 22 nëntorit të vitit të kaluar Hysri Peqani, mjeku popullor i njohur si ‘Burdushi’ është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 1 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për veprën penale mashtrim.

Në po të njëjtin vendim ‘Burdushit’ Gjykata ia ka ndaluar ushtrimin e ‘profesionit’ për tri vite.

Që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, mjeku popullor i njohur si “Burdushi” gjendet në masën e paraburgimit.