SHPËRNDAJE

Shkruan: Marigona Krasniqi

Sot qenka ditlindja ime. Në fakt e kisha harruar fare dhe as që do kujtohesha po të mos më lajmronte operatori telefonik se më dhuronte 10 mesazhe falas me rastin e ditlindjes. Po mbushja 19 vjet. Ndërkaq shpirti e trupi im rënkonin sikur të isha 100 vjeç.

Kjo gjë më zgjoi nga brenda zërin e arsyes. Pse vallë isha katandisur në këtë mënyrë?! Futa duart në flokë dhe po lëvizja gishtërinjët pa kontrollë. Ndërkaq u shtanga tek pashë vetën në pasyrë. Bebëzat më ishin më të zgjeruara se zakonisht dhe sikur notonin në një lëng të kuq. E parakrahu ishte i tëri me njolla e të enjtura. Për herë të parë pas kaq kohësh fillova të mallkoj ato dreq shiringa. Në fakt, këtë mallkim e kisha bërë edhe më herët por prap u ktheva në shënjestrim.

Më ishin fshirë nga mendja gjitha gjërat e bukura dhe çdo gjë më ngjallte trishtim. Por sot sikur në mjegull m’u kujtua nata e mbrëmë. Ndoshta që të kujtoj këtë episodë të jetës më ndihmoj edhe tabaku me ushqim që hasa tek dera e dhomës. Si zakonisht ishte kjo nëna ime që më linte ushqimin aty sa herë që i’a përplasja derën fytyrës.
Këtë gjë e kisha bërë hiç më larg se mbrëmë. U zumë keq me të. Madje këtë zënkë e filluam që në hyrje të banesës. Më acaroj aq shumë duke më turpëruar para shokëve. E kisha parë edhe me herët duke bredhur rrugëve për të më kërkuar, e në ndërkohë pyeste njerëz rrugës se si të më nxirrte nga situata. I njihte e nuk i njihte njerëzit ajo hynte në bisedë me ta për të kërkuar ndihmë.

Në fakt kjo është e çmendur thosha me vete, jo unë.
Po, po ishim bërë të dytë të çmendur. Unë ngaqë nuk e duroja dot dhe ajo ngaqë nuk e duronte gjendjen time. Humbëm të dytë në peshë. Ajo ishte zotuar që do mbante grevë urie derisa unë të haja së bashku me të, ndërsa unë as që qaja kokën për këtë gjë.
Por sot kur e pashë tek hyri në lokalin e lojërave të fatit dhe me lotët që i rridhnin rrëke faqeve m’u drejtua “eja në shtëpi djali im”. E urreva guximin e saj. Dhe si për inat timin ishte bërë kaq e guximshme kohëve të fundit.

Por mbrëmë e urreja nënën time, ndërsa sot ndihesha ndër faj.
Për një moment m’u kujtua gjithë fëmijëria ime.
Më patën rrëfyer se për shkak të problemeve me mitrën e nënës, vetëm pas tetë vitesh martesë kishin arritur të më sillnin mua në jetë. E që isha djali dhe fëmija i vetëm i prindërve. Dhe duke qenë puna kështu ata e shkrinë shpirtin e tyre mbi mua dhe më dhanë gjithçka që kishin. Por mua sikur nuk më mjaftuan dot.
U llastova aq shumë saqë krenaria m’u bë sëmundje dhe epshi nuk ngopej dot.
Më takoi Zoti me shokë të qytetit, të pasur e të llastuar.

Fillova të lakmoj shtëpitë e tyre, veturat, krenarinë e tyre dhe sherret e tyre. U mësova të sillesha si boss. Dhe që nga mosha 14 vjeçare u bëra vizitues i rregullt i lokaleve të natës. Tani garoja me ta se cili ishte më bossi, cili kishte me shumë aventura me femra dhe cili ishte më i forti. Pothuajse çdo herë fitoja, ndonëse nuk isha i pasur sa ata por isha më çapkën dhe më mendjeprehtë karshi situatave me të cilat përballeshim. Kështu filloj edhe xhelozia mes nesh. Anipse nuk e shprehnim ajo vihej në pah në secilin rast. Dhe një natë më munden. E kishin planifikuar këtë garë. Do provonim se kush ka guxim të provoj i pari barin. Bar ky që e kishte sjellë një shoku i tyre tre vite më i madh se ne. Kisha tumosur duhanin edhe alkoolin por për bari as që mendoja të provoj ndonjëherë. Dhe kur u vura përballë kësaj situate, isha i sigurt që nuk do e provoja. Për një moment kujtova fjalët e nënës që shpesh më thoshte: ” biri nënës, ti je i vetmi dhe drita e syve të mi. Ndiç rrugën e babait të ndjerë dhe mos e vrit njerëzoren brenda vetës se pastaj sytë e mi do ngelin gjithmonë në errësirë”.

Fillova të arsyetohem para shokëve se kjo gjë nuk kishte të bëj me guximin dhe se unë nuk isha frikacak. Por përballja me ta ishte e vështirë. Atë natë ika në shtëpi plot nervozizëm. Dhe ishte pikërisht ajo natë hera e parë kur unë i përplasa derën nënës. Por e ngushëllova vetën duke thënë se ishte pikërisht ajo arsyeja që unë u turpërova para shokëve.

Ndërsa ata nuk e lanë me kaq. Më shkruanin një mori mesazhe të mbushura me sarkazëm dhe satirë. Po e cenonin krenarinë time. U mbusha dhe nuk durova dot. Unë nuk isha frikacak dhe ata duhej t’a kuptonin këtë.
Në ditët në vazhdim unë përdora bari më shpesh dhe më shumë se ata. Por, tani më nuk ju bëhej vonë atyre. Madje nuk më ndihmonin për t’a siguruar atë si në fillim.
Nëna m’u bë halë në sy dhe nuk e duroja dot. Fillova t’i vjedhë arin e argjendin që i kishte mbetur nga koha e nusërisë. E gjora kishte me vite që nuk kishte blerë as edhe një unazë. Sepse e tëra që fitonte nga paga e saj, e shfrytëzonte për ushqimin, rrobat dhe shkollimin tim.

Unë fillova të mbyllem në vete dhe ajo u mbush plot trishtim.
Me javë të tëra bredhja rrugëve e edhe ajo duke më kërkuar mua.
Unë tani sëmundje kisha drogën, kurse droga e saj isha unë.
Por sot dua të shërohemi që të dy. E di se do të jetë e vështirë ama nuk do të jetë e pa mundur.

Unë i premtova vetës nën qiellin e hapur dhe i premtova nënës me zërin e ngjizur. I premtova në heshtje ama sepse po t’i jepja premtimin hapur, dyshoj që do e lëshonte zemra nga gëzimi.
Tani zbrita poshtë dhe i thash: “Unë po dal”.
Sytë menjeherë i’u turbulluan nga lotët dhe më tha: “Përsëri do e lësh vetëm këtë nënë të shkretë. Unë nuk kam gjë tjetër veç teje. Drita e syve më është dobësur, përse nuk e forcon këtë dritë bir”.
E putha në ballë dhe i thash:” Po shkoj të kërkoj ndihmën mjeksore nënë. Unë dua të shërohem..!”

Gjithmonë ka kohë për të ndryshuar. Asnjëherë nuk është vonë për t’u penduar.
Ende ka shpresë, gjersa vazhdojmë të kemi jetë.
Zgjoje nefsin, merr dashurinë dhe përplasu me varshmërinë.
Ti mundesh… më beso..!

*Ky shkrim u bë për t’u dhënë shpresë gjithë atyre që vuajnë nga sëmundje të varshmërisë çfarëdo qofshin ato.