SHPËRNDAJE

Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk ka arritur që me konsensus të miratojë rendin e ditës për muajin shkurt për shkak të mospajtimeve rreth asaj nëse duhet të vazhdojë edhe më tej praktika e raportimit tremujor në lidhje me raportin e Sekretarit të Përgjithshëm për misionin e UNMIK-ut në Kosovë.

Ambasadori i Guinesë Ekuatoriale në OKB, Anatolio Ndong Mba, ka thënë se organi i përbërë prej 15 shtetesh do të vazhdojë të takohet sërish këto ditët e para t; shkurtit për të gjetur një konsensus.

Duke përmendur shqetësimet rreth planeve në tentativë për mbajtjen e mbledhjes tremujore të Këshillit mbi Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) më 7 shkurt, ai tha se disa anëtarë besojnë se mbledhja çdo tre muaj është shumë e shpeshtë për një takim të hapur mbi këtë temë.

Duke kujtuar një mospajtim të ngjashëm në lidhje me një pikë të agjendës shtatorin e vitit 2018 – kur Këshilli refuzoi të miratonte çdo program pune – ai shfaqi shpresën se anëtarët së shpejti do të arrijnë pajtim mbi këtë çështje dhe të shmangin një votë “për të ardhur keq” procedurale, transmeton Koha.net.

Siç raporton “Zëri i Amerikës” në gjuhën serbo-kroate, Shtetet e Bashkuara ishin kundër vazhdimit të kësaj praktike, me mbështetje të pesë shteteve anëtare të BE-së, përderisa Rusia ka kërkuar raportim tremujor si deri më tani.

“Këshilli i Sigurimit është i vendosur që përmes dialogut të vijë deri tek zgjidhja. Koordinatorët tanë politikë ditëve në vijim do të provojnë të gjejnë zgjidhje deri më 7 shkurt. Nëse deri atëherë nuk ka marrëveshje, do të zhvillohet një votim procedural dhe do të merret vendimi”, tha Mba.

Ai ka sqaruar se Kosova është në program të rendit për këtë muaj, sepse ashtu është paraparë edhe me kalendar edhe me kohën për raportimin tremujor për UNMIK-un.

Sipas tij, në gusht, Këshillin e ka përfaqësuar Britania dhe ajo nuk e ka përfshirë këtë diskutim, në nëntor Kina e përfshiu, ndërsa në dhjetor në një seancë të jashtëzakonshme është diskutuar për ushtrinë e Kosovës.

“Por kur kemi të bëjmë me rend të ditës, mes nëntorit dhe shkurtit kanë kaluar tre muaj dhe Kosova automatikisht është gjendur në kalendarin e Këshillit të Sigurimit”, sqaroi Mba.