SHPËRNDAJE

Ndryshimi i motit gjatë fundjavës në kulmin e sezonit të skitarisë shkaktoi një sërë ortekësh të rrezikshëm anembanë Austrisë.

Mediat austriake raportojnë se tre persona humbën jetën, ndërsa shumë konsiderohen të zhdukur për shkak të depozitave të dëborës që kanë bllokuar shumë rrugë.

Viktimat, vdekja e të cilëve deri më tani është konfirmuar, janë një skiator nga Gjermania në krahinën e Vorarlbergut dhe një tjetër turist gjerman në vendpushimin popullor të skive Damüls pranë Bregenz.

Viktima e tretë e konfirmuar është një 24-vjeçar nga Zvicra, i cili ra në një hendek 20 metra të thellë jashtë shtegut të skijimit dhe vdiq.

Për shkak të reshjeve të mëdha, bora në vende-vende ka arritur lartësi deri në 60 centimetra, ndërsa në male deri në një metër.

Autoritetet kanë shpallur alarmin për rrezik nga ortekët në nivelin katër, që është shkalla e dytë më e lartë e rrezikut.

Rreziku më i madh nga ortekët e borës është shpallur në krahinat austriake Vorarlberg, Tirol, Austria e Poshtme, Shtajerska dhe Salzburg.