SHPËRNDAJE

Në një deklaratë për mediet, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ishte drejt përfundimit një plan për të detyruar emigrantët të paraqiten në një port të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të mund të hyjnë në mënyrë të ligjshme në vend.

Presidenti përsëriti gjithashtu pretendimin se, karvani i emigrantëve nga vendet e Amerikës Qendrore drejt kufirit mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara është i ngjashëm me “pushtimin”.

Trump, mbështetësit kryesorë të të cilit janë në favor të linjës së ashpër ndaj emigracionit, shtoi se ata duhet të kthehen mbrapsht tani. Presidenti foli në Dhomën “Roosevelt” të Shtëpisë së Bardhë, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, që do të mbahen më 6 nëntor.

Ai u tha reporterëve se, emigrantët “i kushtojnë vendit tonë miliarda e miliarda dollarë çdo vit”, duke shtuar se ata shkaktojnë një “tendosje tejet të madhe në shkollat tona lokale”.

Më herët gjatë kësaj të enjteje, Trump tha se numri i trupave ushtarake të dërguar në kufirin me Meksikën mund të arrijë deri në 15 mijë, gjë që sjell shqetësim për shkak se ky numër i përafrohet misionit pushtues në Afganistan.

Trump kërkoi gjithashtu kufizimin e kërkesave për azil, kur tha se emigrantët që duan të hyjnë në SHBA mund të aplikojnë për azil në pikat ligjore të hyrjes në kufi, edhe pse theksoi se një kërkesë e tillë mund të kërkojë deri në 3 vite për t’u shoqëruar me një vendim.