SHPËRNDAJE

Shkruan: Marigona Krasniqi

Thonë që si foshnje kam pasur të qarat e shkurtëra dhe shumë të mprehta. Nganjëherë edhe çjerrëse. Kjo gjë shpesh i kishte brengosur prindërit e mi.
Në fakt brenga e tyre për mua ka filluar qysh para se unë të vija në jetë.
Pas testit të skriningut dyshimet që unë të isha me sindromën Down ishin të mëdha, por prindërit e mi nuk vazhduan më me teste tjera diagnostike.
Ndoshta i frikësoheshin mundësisë së abortit ose thjeshtë donin të prisnin atë çfarë Zoti kishte përgaditur për ta.

Dhe për dallim prej çifteve tjera, ardhja ime në këtë jetë nuk i ndau prindërit e mi, as nuk i zbehu raportet e tyre. Përkundrazi marrëdhënia e tyre u forcua.
I bashkuan forcat dhe u zotuan të kujdeseshin për mua në mënyrën më të mirë të mundshme. Madje me mua cilësia e jetës së tyre nuk u ul aspak, përkundrazi!
Ah, sikur të ishin të gjithë prindërit e botës të tillë.
Fundja të kesh një fëmijë si unë nuk ka asgjë për t’u turpëruar.
Thjeshtë kam kopje shtesë kromozomesh apo mutacion gjenetik në kromozomin e 21.
Shpesh them me vete që ndoshta janë dashur shumë ato tri kromozome saqë nuk arriti asgjë që t’i ndante . Ndoshta them kështu meqë jam diagnostikuar me “Trizomi 21 e pashkëputur”.
Mendime pra..!

Edhe ne dijmë të mendojmë dhe kemi të drejtë për një gjë të tillë.
Madje unë jam më e pasur se ju sepse kam një kromozom më tepër.
Bile ka filluar të më tërheq numri 47 dhe i dua shumë kromozomet e mia.
Duartë e shkurtëra e të gjera nuk më bëjnë më pak punëtorë se ju.
Dhe ura e sheshtë e hundës e goja e vogël më bëjnë kaq të këndshme.
Aman se nuk po lavdërohem tani por kështu më thonë vazhdimisht motra dhe vëllau.
T’a dini që ata më duan shumë dhe me krenari më prezantojnë para shokëve e shoqeve dhe asnjëherë nuk na zë zënka.

Zmadhimi i gjuhës si organ shpesh më shkakton pengesa në të folur ama kjo asesi nuk më zbeh dëshirën për të komunikuar me botën.
Nganjëherë kam edhe ulje të dëgjimit si pasojë e grumbullimit të lëngut në veshin e mesëm, por kjo nuk më zbrapsë nga dëshira për të dëgjuar dhe mësuar sa më shumë gjëra.
Si pasojë e harmonizimit të dobët të muskujve shpesh kam aftësi të çuditshme të ekstremiteteve ama çdo gjë bëhet e lehtë kur ke pranë njerëz që të mbështesin në çdo hap.

Po pra, ne ndjekim mjaftë mirë udhëzimet.
Mjafton që familja të na kushtojë kohë më tepër dhe të zhvillojnë punë të asistuar së bashku me profesionistët e shërbimeve terapeutike dhe ne gjithsesi që do arrijmë zhvillim.

Ndonëse mund të kemi vonesa kognitive, ne shquhemi me intelegjencë dhe mund të bëjmë shumë gjëra në jetë.
Ne përjetojmë çdo emocion, jemi kaq të këndshëm dhe të dashur.

Unë për vete them që do jetoj gjatë.
Kam shumë gjëra për të arritur në jetë, shumë plane e dëshira dhe jam e bindur që Zoti përderisa më bëri më të veçantë ndër njerëz, Ai nuk do të më marr nga kjo botë pa i përmbushur ato synime dhe pa lënë gjurmë në këtë botë.
Unë jam më e pasur se ju, kam një kromozom më tepër!