SHPËRNDAJE

Ashtu siç e imagjinonin mendjet e ndritura dhe filozofët më të shquar të kohës në fillim të shek. 20 (natyrisht, të inspiruar nga idealet humaniste dhe vlerat kulturore) ne Shtete të Bashkuar të Evropës, ëndërr që u shpartallua nga luftërat e tmerrshme të kontinentit.

Ashtu edhe ëndrra e shumë qytetarëve të Kosovës u shua për këtë vit, për të vizituar sheshet e Berlinit, ato të Parisit, apo fansave të futbollit për t’i parë idhullin e tyre të përfaqësueses së Kosovës duke shkëlqyer në ekipin “Heerenveen” , apo ëndrra e të pasionuarve pas muzikës klasike për ta vizituar “Muzeun e Beethovenit” në Vjenë, apo thjeshtë ëndrra e një nënë për të vizituar birin e vet për festat e fund-vitit,.

Në themelet e saj kishim një Evropë të komuniteteve, pastaj një Evropë të tregut të madh, mandej një Evropë monetare, ndërsa sot kemi më shumë një Evropë të kalkulimeve politike!

Ideja për lëvizje të lirë brenda zonave të tregut të përbashkët ishte e hershme. Që në traktatin e Romës të vitit 1957 kishte ide dhe objektiva për të zhdukur pengesat e qarkullimit të lirë të personave. Mirëpo, realizimi i vërtetë i këtyre objektivave ndodhi me marrëveshjen e Schengenit të vitit 1985, e cila ishte një marrëveshje që e parashihte funksionimin pa kufij të brendshëm, si dhe me Aktin Unik Evropian për një hapësirë pa kufi të brendshëm një vit më vonë (1986), pavarësisht skepticizmit të disa shteteve deri në vitin 1990.

Edhe pse zona e lirë e lëvizjes apo e ashtuquajtura “Zona Schengen” ishte kritikuar dhe ishte pritur me skepticizëm në disa shtete të caktuara, koha e dëshmoi të kundërtën. Me lëvizjen e lirë apo “Zonën Shengen” përfitimet ishin të shumta. Përveç lëvizjes së lirë që është një e drejtë universale dhe humane, kjo marrëveshje ndikoi në shumë fusha, si në ato ekonomike, kulturore e sociale. 

Por, nga erdhi ideja për emrin “Zona Schengen” apo projekti për lëvizjen e lirë?

Schengen është një fshat i vendosur në brigjet e lumit Moselle, në trekëndëshin kufitar të Luksemburgut, Gjermanisë dhe Francës.

I ndodhur 30 km larg Luksemburgut, Schengen i ofron vizitorëve mundësi për të shëtitur përgjatë brigjeve të lumit Moselle, si dhe për ta vizituar muzeun, i cili u inaugurua ne qershor 2010.

Këtu u nënshkrua Marrëveshja e Schengenit dhe Konventa e Zbatimit të Schengenit.

Schengen sot është një simbol i lëvizjes së lirë në Evropë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes në këtë vend.

Bashkimi Evropian është një projekt ende i papërfunduar si tërësi!

Në kuadër të saj edhe proceset politike, institucionale dhe procedurale ndryshojnë në vazhdimësi, varësisht prej kërkesave dhe nevojave që dalin.

Shpeshherë thuhet se Kosovës iu kanë shtuar kriteret për procesin e liberalizmit të vizave, për dallim prej shteteve që e kanë kaluar këtë proces më herët. Por, në fakt, Bashkimi Evropian funksionon në parimet e praktikave dhe përvojave të kaluara, ose thënë ndryshe “learn from past experiences”, që do të thotë se çdo herë kriteret qoftë për proceset e liberalizmit, qoftë për anëtarësim, janë më të vështira për shtetin aspirant në radhë.

Pyetja tjetër që shtrohet në diskutime është: A i plotësoi Kosova kriteret e kërkuara për liberalizmin e vizave?

Siç e dimë, funksionimi i institucioneve të BE-së ka një lloj kompleksiteti dhe një lloj burokracie në vendimmarrje për çështje të caktuara.

Komisioni Evropian është institucioni, i cili përveç se e mbikëqyrë procesin e përmbushjes së kritereve, është pikërisht ky institucion i lartë i BE-së, i cili saktëson apo vendos për përmbushjen e kritereve të kërkuara, dhe i procedon më tutje në institucionet tjera vendimmarrëse të BE-së, siç janë: Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, si institucioni kryesor vendimmarrës.

Pra, përderisa kemi një raport nga një institucion i lartë i Bashkimit Evropian siç është Komisioni i Bashkimit Evropian dhe i cili në raportin e tij konkludoi se të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave të kërkuara nga institucionet e Kosovës janë përmbushur, atëherë nuk mund të themi që problemi qëndron te mos përmbushja e kritereve nga ana e institucioneve të Kosovës.

Liberalizmi i vizave nga ana e institucioneve të BE-së për një shtet jo anëtar të saj, siç është Kosova në këtë rast, do të thoshte që shtetasit e Kosovës do të mund të lëviznin pa viza në “Zonën Shengen”  për një periudhë të caktuar kohore, duke përjashtuar disa shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, e as pasaportat/shtetësinë e Kosovës siç është p.sh. Spanja.

Parlamenti Evropian ndryshe quhet edhe “Zëri i popullit evropian”.

Në shtator 2018, Parlamenti Evropian votoi dhe dha dritën jeshile për të proceduar tutje në komisionin përkatës për nisjen e negociatave ndër-institucionale me Këshillin e BE-së dhe Komisionin Evropian.

Takimet “trialog” janë joformale, janë trepalëshe në mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së.

Parlamenti zhvillon trialogun në bazë të rregullave të procedurës së paraparë të përcaktuar, ku çdo marrëveshje e përkohshme që arrihet në trialog është joformale dhe duhet të miratohet në procedurën formale që aplikohet në dy institucione legjislative – në Parlament Evropian dhe në Këshillin e BE-së.

Do te thotë qe pas procedurave te brendshme ne mes institucioneve te caktuara te BE-se, është Këshilli qe miraton qëndrimin e tij me shumicën e dyfishtë që nënkupton 55% të vendeve anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë, dhe akti legjislativ në fjalë miratohet në formën që korrespondon me pozitën e Parlamentit Evropian. Ky akt legjislativ hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Mirëpo, ku gabuan institucionet e Kosovës, përkatësisht bartësit e saj në momentet kur është votuar nga ana e Parlamentit Evropian për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës?

Lobimi në proceset e tilla është mjaft i rëndësishëm, sidomos në rastin e Kosovës për liberalizmin e vizave.

Pas votimit nga ana e Parlamentit Evropian është dashur që të gjithë krerët e shtetit, si dhe Ministria e Integrimeve të bëjnë një fushatë dhe lobim intensiv te shtetet skeptike, por sidomos në shtetin që udhëheq me Presidencën e Këshillit të BE-së, në këtë rast Austrinë që udhëheq deri në fund të vitit, në mënyrë që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të vihej në agjendën e Këshillit të Ministrave të Bashkimet Evropian në dhjetor, gjë që fatkeqësisht nuk ndodhi.

Por, a mund të themi se përfaqësues apo qarqe të caktuara politike brenda institucioneve të BE-së, çështjen e liberalizimit të vizave po e mbajnë si një kartë politike për dialogun, përkatësisht marrëveshjen finale me Serbinë?!

Këtë nuk mund ta themi, por duke pasur parasysh që sot vendimmarrja në institucionet e BE-së, sidomos vendimmarrjet në Këshillin e Bashkimit Evropian, zëri i shteteve anëtare, kalkulohet shumë në politikat e interesave strategjike të vendeve anëtare të BE-së, atëherë kemi të drejtë të kemi dyshime edhe në këtë pikë, marrë për bazë edhe “pazarin” e ofruar së fundmi nga BE-ja me zëvendësimin e emërtimit nga UNMIK në Kosovo’ në CEFTA, në këmbim të heqjes së taksës.

Problemet politike dhe vendimmarrëse në institucionet e BE-së shpeshherë shkojnë më larg perimetrit institucional dhe politik të saj të brendshëm dhe lidhen me një sërë çështjes në diplomacinë ndërkombëtare!

Në njërën anë kemi një Rusi, e cila përmes ndikimit të saj në disa shtete të Unionit ndikon që të prishet uniteti vendimmarrës për çështjet e caktuara në institucionet e BE-së.

Në anën tjetër edhe Kina ka shtrirë ndikimin e saj politik përmes fuqisë së saj ekonomike, për të prishur balancat aty ku i duhet për diplomacinë e saj strategjike.

Kriza e emigrantëve të fundit, sulmet e Parisit në vitin 2015, Brexiti dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj të vitit 2019, të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët dhe nënkuptojnë probleme të brendshme të BE-së që reflektojnë në unitetin e vendeve anëtare për vendimmarrje të caktuar në institucionet e BE-së.

Mosnjohja e Kosovës nga 5 vendet e BE-

Në parim nuk mund të themi që mosnjohja nga 5 vendet e BE-së në kuptimin e vendimmarrjes procedurale është arsyeja e prolongimit të këtij procesi. Ky faktor, duke pasur parasysh mënyrën dhe formën se si votohet dhe kalohet ky proces në institucionet vendimmarrëse të Be-së, nuk mund ta bllokojë procesin vendimmarrës në Këshill për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Influencë politike mund të këtë ne disa faktorë që lidhen me unitetin e brendshëm të BE-së, si dhe fati i keq i Kosovës që, që nga janari i vitit te ardhshëm udhëheqjen/presidencën e Këshillit të BE-së do ta ketë një vend, i cili nuk e ka njohur Kosovën, e që është Rumania.

Çfarë nënkuptohet me vullnetin politik brenda institucioneve të BE-së, e veçanërisht në Këshillin e Bashkimit Evropian?

Siç e dimë, Presidenca e Këshillit bëhet me rotacion në çdo 6 muaj. Çdo vend i BE-së e merr udhëheqjen e agjendës së këshillit dhe i drejton të gjitha takimet për një periudhë gjashtëmujore. Pra, vendi i cili udhëheq me agjendën e BE-së ka influencë në përcaktimin e prioriteteve dhe agjendën e këshillit, si dhe në politikat ndërmjetësuese për kompromise dhe vendimmarrje të caktuar. Nuk ka diskutim që shpeshherë në mungesë të vullnetit politik, prioritetet dhe përcaktimi i agjendave të caktuara prolongohen nga Këshilli, përkatësisht Presidenca që udhëhiqet nga një shtet i caktuar, sepse shteti i cili udhëheq me Presidencën e Këshillit ka rolin dhe peshën e vet, duke neglizhuar apo injoruar përmes agjendës së saj vendimmarrje apo inicime të caktuara në agjendën e saj.

Përderisa kemi një rrëmujë procedurale në njërën anë dhe një amulli politike në vendimmarrje nga institucionet e BE-së, deri në një vendim të ardhshëm të institucioneve të BE-së, përkatësisht vendimit final nga ana a Këshillit të Bashkimit Evropian, qytetarëve të Republikës së Kosovës u mbetet t’i vizitojnë xhamitë e Stambollit, sheshet “Taksim” apo të shëtisin brigjeve të Bosforit!

Autori: Gazeta inFokus