SHPËRNDAJE

Maurizio Sarri e ka pranuar se ai është përgjegjësi për humbjen turpëruese, 6-0 nga Manchester City dhe se do të pranojë gjithçka që të vendosë kryesia e klubit.

City shkatërroi Chelsean në Etihad duke e mposhtur 6-0 dhe në fund të ndeshjes, Maurizio Sarri nuk i dha dorën Pep Guardiolës, por u drejtua menjëherë drejt dhomave të zhveshjes.

Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, trajneri italian, duke deklaruar se nuk e ka parë Guardiolan në ato momente, nuk ka tentuar të gjejë alibi, përkundrazi ka zbuluar atë që mund të konsiderohet diagnoza e “sëmundjes” së Bluve të Londrës në këtë muaj të fundit, e dëshmuar edhe sot ndaj “Qytetarëve”.

“Për momentin nuk jam i aftë të jap sqarime”, u shpreh Sarri.

“Gjatë të gjithë javës kisha një ndjesi pozitive në stërvitje. Mbase goli i pësuar pas vetëm 3 minutash ishte i vështirë për tu kapërdirë. Ishte e vështirë të mos u jepje atyre hapësira. Ne ishim në telashe. Nuk jam në gjendje ta kuptoj”. Shtoi ai.

“Mendoj se diferenca e madhe mes dy skuadrave ishte intensiteti i presingut. Ata bënë presion në mënyrë fantastike, ndërsa ne nuk u treguam të aftë për ta bërë”.

“Unë jam përgjegjës për skuadrën, kështu që është e drejtë të përballem me presionin. Duhet të pyesni klubin, nëse do të diskutohet e ardhmja”, deklaroi mes tjerash trajneri i Chelseas.